Παρασκευή 27 Μαρτίου 2026

LEFTER SHOMO "JETA IME PRET NË PRAG"

 

LEFTER SHOMO
JETA IME PRET NË PRAG
Rrugë e malluar e shtëpisë time
Ja, kujtimet vijnë si shqota
Rrojnë këtu ëndrrat më intime
Dashuritë e mia, gjithë bota.
Udhë malli rrugica të lagjes
Udhëkryqe ëndrrash mbani lart
Symbyllur, posi këngë dalë vargjesh
Më udhëheqin drejt e në prag.
Herët nis më përshëndet këndezi
Nëna e drithëruar rri e pret në prag
Del e ligjëron ylli i mëngjesit
Hëna, dielli,iso rrinë mbajnë.
Ai lot i nënës ,i patharë
Kur gjithnjë me ankth pret në portal
Fjalë e puthje, mall i paparë
Bie lot i saj e vrima hap mbi shall.
Tatëpjeta marr e të përpjeta
Përshëndet dhe hëna buzagaz
Mbi çatinë time bien kometa
Bujarisht dhe qielli yje zbraz.
Fort ma pushton zemrën nostalgjia
Gjithë çapkënllëqet m'i përkëdhel
Shakatore vjen plot me gaz rinia
Gjallërisht pasionet m'i këndell.
Rrugë lagjeje të shtëpisë time
Bredhin ëndërrimet në rrugicë
O monopate, sokakë bekimesh
Nën çdo gurin tuaj ndjej muzikë.
Do vij prapë dhe pa më thirrur
Se jeta ime rri ,pret këtu në prag
Çdo shtëllungë pluhuri të ngritur
Qetë e shpërndaj me t' shpirtit fllad.
Lefter ShomoK /82 p.i.sh











Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου